Familja Bilali ishte me origjinë nga Ulqini i Malit të Zi dhe kryesisht kanë qenë të përfshirë në sektorin e detarisë. Pas aneksimit të Ulqinit nëpërmjet Kongresit të Berlinit në vitin 1878, degët kryesore të familjes u transferuan në Shkodër dhe Durrës, që kishin sisteme të zhvilluara më shumë në fushën e detarisë.

Hajdar Bilali, së bashku me vëllezërit Faik dhe Malush Bilali, themeluan ndërmarrjen e tyre të përqendruar kryesisht në transportin detar, transportin e mallrave me anijen, si dhe eksportin e druve dhe importin e veshjeve dhe produkteve të fabrikimit.

Në vitin 1944, ata kishin nën kontrollin e tyre katër anije transporti. Tokën për ndërtimin e shtëpisë aktuale ata e kanë blerë në vitin 1932. Shtëpia është ndërtuar në tre seksione të ndryshme sipas fazave të ndërtimit. Në fillim, seksioni ku është vendosur dera, ka qenë përdorur si banim për tre familjet e vëllezërve Bilali. Më vonë, në një fazë të dytë janë ndërtuar seksione të tjera në të majtë dhe të djathtë për të plotësuar nevojat e banimit dhe dyqaneve tregtare.

Seksioni i fundit që është ndërtuar është ai në pjesën e fundit të godinës, në rrugën që çon në Drejtorinë e Hekurudhës. Ky seksion i fundit është projektuar për të funksionuar si një hotel dhe projekti është kryer nga një studio italiane. Projekti dhe leja e ndërtimit gjenden në arkivin e Këshillit të Qarkut Durrës. Megjithatë, ky seksion nuk është përdorur kurrë si hotel, pasi me ardhjen e komunizmit në vitin 1944 filloi një periudhë e konfiskimit të pasurive dhe tatimeve të jashtëzakonshme. Familjes iu sekuestruan të gjitha pjesët e shtëpisë përveç seksionit të parë (ku gjendet dera), ndërsa ambientet tregtare fillimisht u morën me qira nga shteti dhe më pas u konfiskuan. Ata u rikthyen në pronësi të familjes në vitin 1993, pas rënies së regjimit komunist.

Pas vitit 1944, gjithë familja ishte nën presionin e regjimit komunist, quheshin pronarë ose borgjezë sipas terminologjisë komuniste të luftës së klasave, dhe për pasojë, ekspozimi i pasurive të ndërtuara gjatë viteve dhe përmendja e tyre nuk ishin gjë e lehtë. Nga një pikëpamje fetare, dera e shtëpisë duhet të ketë qenë e jeshile, përderisa jeshilja ishte ngjyra më e pranuar në besimin mysliman të familjes.

Në vitet 1942-1944, për shkak të bombardimeve në Durrës, familja u transferua në Shkodër, Ulqin dhe në një fshat të quajtur Bushnesh. Në këtë periudhë, arredimi i tyre u vodh, dhe pas vitit 1944, ata e ribënë, megjithëse në kushtet e vështira të përmendur më lartë.

Dera e punuar në grep nga artizane Lumturije Kasa

“Kjo faqe interneti është krijuar në kuadër të programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Qendrës Durrësi Aktiv dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe/ose UNOPS-it.”

TheOldDoorsTrail  © . Të gjitha të drejtat e rezervuara

Skip to content